Jetë Shqipërie!

Më ka rastisur shpesh, të ulem me miqtë e mi, të pi nje kafe, siç zakonisht bëjmë ne të rinjtë në Shqipëri, dhe bisedat vërtiten gjithnjë mbi Shqipërinë tonë të dashur. Nuk është temë e re, që papunësia ndër të rinj është shumë e përhapur. Unë kam pasur fatin e mirë të mos jem në këtë listë deri më tani, ndërsa për të nesërmen në këtë vend ku ne jetojmë, nuk mund të flasim as nuk mund të ëndërrojmë dot akoma. Por i mirëkuptoj miqtë e mi, disa papunë e disa në punë në të cilat paguhen aq sa për të çuar deri në fund ditët deri në pagën e radhës, sa të lodhur janë nga Shqipëria, dhe pse çdo ditë i hedhin sytë në ndonjë mundësi shpëtimi jashtë vendit. Bashkohem dhe unë me bisedat e zjarrta se si tokat që sjanë mëmëdheu ynë, të paktë do na ofrojnë një punë ku ushqimi dhe veshja nuk do të jenë shqetësimi dhe stresi i përditshëm, as pagesa e faturave dhe pritja me ankth se mos këtij muaji është harxhuar me shume energji elektrike nga sa e mban buxheti. Të paktën, të ngrihesh në mëngjes dhe të mos e shash veten pse harrove mbrëmë një dritë ndezur, të hapësh frigoriferin dhe të mos ketë brenda një shishe uji dhe pak gjëra të cilat nuk mund të quhen si një vakt i denjë. Biseda vërtitet se si të paktën, nëse do jetosh në Amerikë, do mund të punosh dhe dy punë, të kursesh paksa e të bësh ca pushime të mira, si për të hequr lodhjen. Na ngjan sikur në ato dy orë që ulemi e ëndërrojmë me pasion mbi jetën tonë amerikane apo europiane, jemi të shkëputur nga realiteti ynë, me dy kafe e një ujë mbi tavolinë.

Çfarë mund të bëjmë ne? A nuk kemi të zgjedhur ca njerëz që të na drejtojnë e të na përmirësojnë jetën? Më vjen dhe të qesh teksa i shkruaj këto pytje, sepse dihet që deri më sot, politika na ka katandisur gjithnjë e më keq si popull. Njoh njerëz që kanë qenë ndër më patriotët që unë njihja, e nuk pranonin të dilnin nga vendi për një të ardhme tjetër, që nganjëherë ua kisha zili patriotizmin, e nganjëherë ua kisha inat. Sot ato njerëz, futen tashmë te grupi që ju ka ardhur në majë të hundës me jetesën në Shqipëri, e patriotizmi i ka lënë vendin ndjenjës së mbijetesës. Kërkimi i një mundësie tjetër larg Shqipërie. Nisja nga fillimi i një jete tjetër. Pse jo? Këtu në këtë vend, nuk të jepet mundësia as të nisësh dicka e as t’a vazhdosh. Pengohet nga sharlatanët, e shtypet nga të fortët, që kanë në dorë shumicën e parave, duke mos lënë asnjë njeri të ngrihet pa sakrifikuar rëndë, për të jetuar normal. Jo pa arsye jemi renditur si një vend me popullësi të palumtur, poshtë Palestinës, e sipër Bangladeshit:

106.Zambia
107. Nepal
108. Palestinian Territories
109.Albania
110. Bangladesh
111. Sierra Leone
112. Iraq
… source

Është e trishtë, se si renditemi në botë, jo vetëm për lumturinë por dhe për shumë të tjera. Por çfarë rëndësie ka? Ajo çfarë ka rëndësi është sa përpiqemi ne, për të ngritur zërin tonë më shumë, për atë çfarë është e drejtë, për atë që na shërben të gjithëve dhe jo vetëm për dëshirat personale? Sa përpiqemi ne për të ndihmuar më të dobëtit se ne, për të ndihmuar më të varfërit se ne? Sa jemi ne të gatshëm, të lëmë mënjanë konkurencën e padobishme mes njëri tjetrit, të kapemi dorë për dore, e të jemi të fortë sëbashku? Është koha, të mos lejojmë më, as politikën, as të “fortit”, të tallen me jetët tona, me të ardhmen tonë. Është koha që të ndihmojmë njëri tjetrin, të bashkohemi dhe të ndjekim drejtësinë të vënë në vend. Është koha që, të mos frikësohemi më nga askush, as nga elita politike, as nga kriminelët që na rrethojnë. Sepse bashkë jemi më të shumtë, dhe bashkë me zgjuarsi mund të ndryshojmë të ardhmen tonë. Të shohim, tani që reforma e shumëpritur u miratua, sa do vihet në zbatim. Të ulim armët e zemërimin, të ulim flamujt politik, të marrim në dorë shqiponjën me dy krerë, dhe të jemi të vendosur e paqësorë, për të shtyrë përpara e për të ndihmuar drejtësinë të zbatohet. Mjaft më me luftë mes nesh, mjaft më me luftë politike. Nuk jemi turmë. Jemi komb. Komb me vetëm një flamur, as rozë as blu, por vetëm kuq e zi!

 

Leave a Reply