Çfarë po ndodh me Shqipërinë?

Çfarë po ndodh me Shqipërinë? Çfarë po ndodh me shqiptarët? Ku jeni?

Në librin e tij të botuar pas ngjarjeve të dhjetorit 1990, një oficer i shërbimit të fshehtë informativ anglez gjatë Luftës se II Botërore, Reginald Hibbert citon:

‘Shqiptarët janë një nga popujt më të vjetër të Europës, por vendi i tyre është një nga shtetet më të reja të Europës. Të jesh kaq i vjetër e njëkohësisht kaq i ri është njëfarë fati i keq.’
A është vallë fat i keq, tashmë kur pas 26 vitesh nga ngjarjet e ’90 ne akoma nuk jemi afruar të qënit një shtet?
A thua është fat i keq që ndjehemi të burgosur në vendin tonë, për shkak te mundësive të pakta që na ofrohen? Mezi presim të na jepet mundësia të largohemi nga këtej.
Jemi të gjithë të orientuar drejt punëve të zyrës, të gjithë të orientuar drejt karrikes së drejtorit dhe të gjithë të dhënë pas jetës luksoze. Sigurisht pse jo?
Shikojmë me zili njëri tjetrin apo të tjerë që diç kanë më shumë të trashëguar nga prindër, duke mos vënë aspak në konsideratë, që luksi dhe pasuria nuk vjen duke qëndruar ulur nëpër kafene dhe duke u ankuar çdo ditë që nuk ka punë, dhe sa keq ështe bërë në Shqipëri, se si duhet të gjejmë një mënyrë për t’u larguar nga ky vend që po na ha të gjallë, po na merr rininë e energjinë.
Duke mos hedhur sytë nga tokat e lëna djerr për më shumë se 20 vite. Toka që dikur ushqenin gjithë vendin.
E sollëm ‘demokracinë’ me forcë dhe filluam të shkatërronim cdo gjë që na kujtonte komunizmin, si për të fshirë gjurmët e një kohe jo të mirë, të një kohe që nuk na jepte liri dhe që na detyronte të punonim. Por sa të lirë jemi sot? Sa të lirë, jemi? Sa po luftojmë për çfarë është e drejtë? Sa po e shfrytëzojmë lirinë tonë për të ecur para ne, për të çuar para vendin tonë me krenari? Sa liri kemi për të dalë në rrugë pa frikë e për te protestuar apo për të luftuar për të mirën e të gjithëve, duke lënë mënjanë interesa personale? Jemi të lirë, por nuk punojmë me dëshirë për të ardhmen, e vazhdojmë të shajmë të shkuarën si për të justifikuar mjerimin e të tashmes.

Ja, si po bien pre sërish të rinjtë të cilët duan të pasurohen shpejt e skema piramidale, ashtu siç ranë pre mijëra shqiptarë në vitet ‘91-’97. Në atë kohë falimentimi i skemave piramidale, morën me vete rreth 1,2 miliardë $ kursime të shqiptarëve. Në shpresë të pasurimit të pamund. Por më në fund, shqiptarët ngritën krye, dhe pasi panë mashtrimin u rebeluan ndaj kësaj ‘padrejtësie’ në të cilën ishin futur me dëshirë e me epshin për t’u pasuruar.
Sot, në 2016 përsëriten historitë, sepse dihet etja e shqiptarit për paranë. Në fund të fundit kush nuk e do. Por etja e shqiptarit është ndryshe. Nuk është paraja për të cilën ke punuar fort për ta fituar, por ajo që vjen me magji direkt në kafene nga ku po bën diskutimet filozofike për suksesin.
Sa e sa herë kemi dëgjuar historitë e famshme të skemës piramidale, nga prindërit tanë. Sa e sa herë kemi dëgjuar që nuk bëhet paraja lehtë, dhe pa punuar, vetëm duke u përfshirë nëpër biseda motivuese nga kafeneja në kafene. Rroftë luksi dhe paraja! Duke ftuar në këto skema, miq e të afërm, duke u rrezitur në diell, për të pritur pasurinë e premtuar, në kurriz të miqve shokëve e të afëmve. Rroftë luksi dhe paraja!
Ndërkohë, tregohemi indiferent ndaj çdo gjëje tjetër. Nuk na intereson, as varfëria që po pushton vendin, sepse rinia nuk dëshiron të punojë, nuk dëshiron të mendojë pak më thellë sesa sipërfaqja. Të krijojë ide të reja duke shfrytëyuar kapacitet aktuale në vend.
Tokat vijojnë të rrinë të papunuara, të pambjella, si një dëshmi e nje populli jo të organizuar.
Është mëkat, që jemi bekuar me toka bujqësore, me ujë, me pasuri nga të katër anët, që jo vetëm nuk i vlerësojmë por dhe i keqtrajtojmë.
Ndërkohë, dhe ato pak fermerë që ne i ashtuquajmë ‘fshatarë’ nuk arrijnë të depërtojnë në tregun vendas, për shkak të mallrave të importuara. Mallra të cilat prodhohen mjaft mirë në vendin tonë. Sepse ne nuk ndihmojmë njëri tjetrin, sepse ne nuk na intereson asgjë tjetër vec asaj që mund të përfitojmë vetë.

Nuk kemi si të bëhemi shtet sepse ne nuk e vlerësojmë shtetin tonë, tokat tona, resurset tona, ne nuk punojmë bashkë, ne nuk e duam njëri tjetrin!

Leave a Reply